Ribotuar: 8 mars, 2021

Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve të Shteteve të Bashkuara (FDA) ka lëshuar autorizime për përdorim urgjent (EUA) për vaksinat e COVID-19, prodhuar nga Pfizer-BioNTech, Moderna dhe Johnson & Johnson. Këto tre vaksina tashmë po shpërndahen në Shtetet e Bashkuara.

Fondi i Përfitimeve ka përgatitur listën e mëposhtme të pyetjeve dhe përgjigjeve më të shpeshta mbi vaksinat.

Kushtet për vaksinim, disponueshmëria dhe shpërndarja e vaksinave

1 Q. Cilat vaksina janë të disponueshme në ShBA?
A. Tashmë, vaksinat prodhuar nga Pfizer dhe Moderna po shpërndahen në Shtetet e Bashkuara. Së fundmi, një vaksinë e tretë e prodhuar nga Johnson & Johnson u aprovua të shtunën, në 27 shkurt.

2 Q. Për cilat grup-mosha konsiderohen të parrezikshme vaksinat COVID-19?
A. Vaksina Pfizer konsiderohet pa rrezik për personat 16 vjeç e lart. Vaksinat Moderna dhe Johnson & Johson konsiderohen pa rrezik për personat 18 vjeç e lart. Studimet vazhdojnë për adoleshentët 12 vjeç e sipër. Pasi të mbarojnë këto studime, do të fillojnë studimet për vaksina edhe për fëmijët nën 12 vjeç.

3 Q. Kush i plotëson kushtet për vaksinim tani për tani?
A. Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) ka shpallur rekomandimet për mënyrën e shpërndarjes së vaksinave. Megjithatë, secili shtet ka autoritetin përfundimtar për të vendosur parësinë për vaksinimin.

Për listën më të fundme të atyre që i plotësojnë kushtet për vaksinim në New York, kliko këtu dhe për New Jersey, kliko këtu.

4 Q. Kur munden anëtarët e sindikates të fillojnë vaksinimin për COVID-19?
A. Në 26 shkurt, Guvernatori i New York-ut, Cuomo, shpalli se shteti i New York-ut do të përfshinte edhe vaksinimin e punonjësve të hoteleve klasifikuar në Fazën 1B. Departamentet lokale të shëndetësisë kanë autoritetin për të vendosur si, kur, dhe ku do të vaksinohen punonjësit e hoteleve. Qyteti i New York-ut aprovoi shpërndarjen e tyre. Tani e ka radhën Departamenti i Shëndetësisë së Qytetit të New York-ut për të furnizuar qendrat shëndetësore me vaksina.

Në 1 mars, Guvernatori i New Jersey-t, Phil Murphy, ndoqi shembullin e New Yorkut dhe shpalli se punonjësit e hoteleve në New Jersey mund të fillojnë vaksinimin në 29 mars.

5 Q. A ka vaksina të mjaftueshme për të gjithë?
A. Po, por jo menjëherë. Vështirësia më e madhe me të cilën po përballohemi është mungesa e vaksinave. Që kur hyri në fuqi, administrata e Biden-it nisi punën për të përshpejtuar prodhimin e vaksinave dhe përmirësuar shpërndarjen e tyre. Presidenti Biden shpalli se Shtetet e Bashkuara do të kenë furnizim të mjaftueshëm me vaksina për të gjithë të amerikanët në moshë madhore në maj të vitit 2021, por shpërndarja e tyre mund të zgjasë pak më shumë.

6 Q. Sa do të kushtojë vaksina?
A. Vaksina është falas. Qeveria federale e bleu vaksinën me fondet e taksapaguesve. Shpërndarësit e vaksinave do të faturojnë një pagesë administrimi të vaksinës.

7 Q. A do të kenë vaksina qendrat shëndetësore?
A. Po, me kalimin e kohës. Qendrat tona shëndetësore janë aprovuar si pika vaksinimi, dhe deri tani kanë marrë sasi të vogla vaksine. Departamenti i Shëndetësisë së Qytetit të New York-ut kontrollon shpërndarjen në qendrat tona. Ne po punojmë së bashku për të siguruar sasi më të mëdha të vaksinave. Tani për tani, vështirësia më e madhe që kemi, është mungesa e vaksinave.

8 Q. Si do ta marr vesh kur të më vijë radha e vaksinimit?
A. Kur Fondi të marrë vaksina nga Departamenti i Shëndetësisë së Qytetit të New York-ut, stafi do të njoftojë anëtarët se ku dhe kur të paraqiten për vaksinim në bazë të parësisë shëndetësore përcaktuar nga Departamenti i Shëndetësisë. Deri tani, kemi marrë shumë pak vaksina.

Ju lutemi, mos u telefononi qendrave shëndetësore për të caktuar takim për vaksinim. Qendrat shëndetësore do t'ju njoftojnë kur t'ju vijë radha. Nëse nuk jeni regjistruar ende për të marrë njoftime nga teksti, regjistrohuni në faqen e Unionit tek: https://hotelworkers.org/covid19/sign-up-to-receive-union-alerts

Parrezikshmëria e vaksinës

9 Q. A janë këto vaksina pa rrezik?
A. Deri tani, asnjë nga tre vaksinat nuk ka shfaqur rrezik. Në disa raste shumë të rralla, ka pasur persona me reaksione të forta alergjike. CDC shprehet se këto raste janë shfaqur vetëm tek 2-5 persona për çdo 1 milion të vaksinuar me vaksinën Pfizer apo Moderna në Shtetet e Bashkuara. Personat që kanë histori alergjish të forta ndaj ushqimeve dhe ilaçeve, duhet të konsultohen me mjekun e tyre para se të vaksinohen.

10 Q. Pse duhet të besojmë në parrezikshmërinë e vaksinës?
A. FDA-ja përdori të njëjtat standarde të rrepta për vlerësimin e kësaj vaksine, të cilat i ka përdorur për shumë dhjetëvjeçarë. Autorizimi për përdorim urgjent (EUA) e përshpejtoi procesin për prodhimin e vaksinës gjatë kësaj krize, por kurrsesi nuk anashkaloi etapat e prodhimit. Për më tepër, dy trupa këshilluese federale, FDA dhe CDC i kanë shqyrtuar dhe konfirmuar rezultatet e kompanive farmaceutike së bashku me një trup këshillues të pavarur nga New York-u.

11 Q. Duke pasur parasysh historinë e racizmit të dokumentuar në studimet klinike, pse duhet që personat me ngjyrë të zezë ose kafe të besojnë në parrezikshmërinë e vaksinës?
A. Industria mjekësore ka vuajtur për shumë vjet nga pabarazia raciale, e cila ka ndotur edhe besueshmërinë e studimeve klinike në Shtetet e Bashkuara. Mungesa e besimit ndaj vaksinës është e kuptueshme, por shkenca e përdorur në prodhimin e këtyre vaksinave është e provuar katërcipërisht. Për më tepër, Pfizer, Moderna dhe Johnson & Johnson kanë bërë përpjekje të konsiderueshme për të kryer studime të larmishme. Vaksinat kanë treguar efektshmëri dhe siguri të lartë në parandalimin e sëmundjeve të rënda dhe vdekjes prej COVID-19 pavarësisht nga raca dhe gjinia.

12 Q. A morën pjesë persona të zinj, latinë dhe aziatikë në studimet për vaksinën?
A. Po. Në studimin për vaksinën Pfizer me 36,706 pjesëmarrës, 28% ishin hispanikë ose latinë, 9.3% ishin të zinj ose afro-amerikanë, 4.3% ishin aziatikë, dhe rreth 80% ishin të bardhë. Në studimet për vaksinën Moderna me 30,000 pjesëmarrës, 20% ishin hispanikë ose latinë dhe 10% ishin të zinj ose afro-amerikanë. Në studimin për vaksinën Johnson & Johnson me 39,321 pjesëmarrës, 45.3% ishin hispanikë ose latinë, 19.4% ishin të zinj, 9.5% ishin indianë amerikanë ose nga Alaska, 3.3% ishin aziatikë, 0.2% ishin nga indianë nga Havai ose ishujt e Oqeanit Paqësor, dhe 5.6% ishin raca të përziera.

13 Q. A pati dallime në efektet anësore dhe efektshmërinë për racat e ndryshme?
A. Jo. Nuk pati dallime në efektet anësore dhe efektshmërinë e vaksinës për racat ose gjinitë e ndryshme.

14 Q. A ka persona me sëmundje të caktuara ose që marrin ilaçe të caktuara të cilët NUK duhet të vaksinohen?
A. Në përgjithësi, nuk ka pasur raportime për probleme me vaksinën për shkak të ilaçeve ose sëmundjeve të caktuara. Megjithatë, personat me alergji të forta ndaj përbërësve të vaksinës nuk duhet të vaksinohen.

14.1 Q. Cilët janë përbërësit e vaksinës mRNA?
A. I vetmi përbërës aktiv në vaksinat mRNA është mesazheri acid ribonukleik (mRNA). Vaksinat përmbajnë gjithashtu: lipide (ose molekula dhjami) të cilat përdoren për të mbrojtur mRNA-në ndërsa depërton në qelizë, kripë për të balancuar aciditetin në trupin tuaj, si edhe sheqer që molekulat të ruajnë formën e tyre gjatë ngrirjes.

14.2 Q. Cilët janë përbërësit e vaksinës Johnson & Johnson?
A. Vaksina Johnson & Johnson përfshin Adenovirusin e modifikuar, lloji 26. Vaksina përmban edhe acid citrik për të ruajtur qëndrueshmërinë e virusit të modifikuar.

15 Q. A ka rrezik marrja e vaksinës së COVID-19 për pacientët me HIV?
A. Shkencëtarët, përfshirë këtu dhe shkencëtarët më në zë për HIV, besojnë se vaksina e COVID-19 nuk përbën rrezik për pacientët me HIV. Studimi i vaksinës Pfizer përfshiu edhe pacientë me HIV dhe nuk vërejti asnjë ndryshim në reagimin e tyre ndaj vaksinës ose efekte të tjera anësore.

16 Q. A përbën rrezik marrja e vaksinës COVID-19 për gratë shtatzëna?
A. Nuk ka të dhëna të mjaftueshme klinike për rrezikshmërinë e vaksinës COVID-19 për gratë shtatzëna. Megjithatë, studimet kanë treguar se gratë shtatzëna janë më të prirura për t’u sëmurur rëndë dhe vdekur nga COVID-19. Duke pasur parasysh rrezikshmërinë e lartë për gratë shtatzëna, si edhe faktin që vaksinat e përdorura nuk përmbajnë virusë të gjallë dhe kalojnë shpejt nëpër trup, CDC dhe Kolegjiati Amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve rekomandon që gratë shtatzëna të vaksinohen.

Komuniteti shkencor po punon për të mbledhur më shumë të dhëna për rrezikshmërinë e vaksinës tek gratë shtatzëna dhe fetuset e tyre. Ka disa studime klinike që po fokusohen veçanërisht tek gratë shtatzëna. Për më tepër, mbi 10,000 gra shtatzëna janë vaksinuar tashmë me një nga llojet e vaksinave mRNA në Shtetet e Bashkuara, si edhe shumë pjesëmarrëse në studimet fillestare janë shtatzëna pa komplikacione ose rrezik të shtuar për dështim. Nëse jeni shtatzënë, ju rekomandojmë të diskutoni çdo shqetësim me mjekun tuaj.

17 Q. A munded që vaksinat mRNA (Pfizer dhe Moderna) të shkaktojnë infertilitet?
A. Tani për tani, nuk ka asnjë lloj treguesi se vaksinat mRNA shkaktojnë infertilitet. Nëse jeni shtatzënë, ju rekomandojmë të diskutoni çdo shqetësim me mjekun tuaj.

Si veprojnë vaksinat?

18 Q. Sa herë duhet të vaksinohem?
A. Vaksina Pfizer kërkon dy injeksione, 3 javë larg nga njëra-tjetra. Vaksina Moderna, kërkon dy injeksione, 4 javë larg nga njëra-tjetra. Vaksina Johson & Johnson kërkon vetëm një injeksion.

19 Q. A mund të zëvendësojnë vaksinat e COVID-19 njëra-tjetrën?
A. Vaksinat nuk mund të zëvendësojnë njëra-tjetrën. Nëse nisni njërën nga vaksinat, duhet patjetër që të vaksinoheni përsëri me të njëjtën vaksinë, brenda afatit të caktuar.

20 Q. Cilat janë efektet anësore të vaksinës?
A. Dhimbje dhe ndjeshmëri në vendin e vaksinimit janë dy nga efektet më të zakonshme anësore. Shenjat e tjera të përgjithshme përfshijnë pafuqishmëri, temperaturë dhe dhimbje koke.

21 Q. Sa efektive janë vaksinat?
A. Këto vaksina kanë treguar efektshmëri të lartë. Pfizer ofron 95% mbrojtje nga infeksioni dhe vaksina e Modernës (mRNA-1273) është 94.1% efektive. Vaksina Johnson & Johnson ofron 72% efektshmëri në parandalimin e infeksionit mesatar e deri të rëndë me COVID-19 në Shtetet e Bashkuara, si edhe 85% efektshmëri në parandalimin e rasteve të infeksionit mesatar dhe të rrezikshëm për jetën të COVID-19. Për krahasim, vaksina e përvitshme e gripit është vetëm 40-60% efektive.

22 Q. A mund të infektohem me COVID-19 edhe pas vaksinimit?
A. Ka shumë pak të ngjarë të infektoheni me COVID-19 pas vaksinimit, por, edhe nëse sëmureni, do ta kaloni shumë më lehtë dhe afërmendsh do të shmangni lëngimin e gjatë ose shtrimin në spital.

23 Q. Cila është teknologjia mRNA e përdorur në vaksinat Pfizer dhe Moderna?
A. Teknologjia mRNA është e re në prodhimin e vaksinave. Ajo i instrukton qelizat tona të prodhojnë një molekulë të padëmshme e cila imiton cipën e virusit (kunjat proteinike) Kunjat proteinike nxisin sistemin tonë imunitar të përgjigjet dhe prodhojë antitrupat që na mbrojnë në rast se infektohemi me virusin e vërtetë. Kjo metodë nuk ju infekton dot me COVID-19. Teknologjia mRNA ka më shumë se dhjetë vjet që po studiohet dhe po aplikohet gjithashtu edhe në trajtimet ndaj kancerit.

24 Q. A e ndryshon vaksina mRNA ADN-në time?
A. Jo. Megjithëse gërmat ngjasojnë, mRNA nuk ka asnjë efekt në ADN-në tuaj, dhe vaksinat mRNA të Pfizer e Moderna nuk mund të ndryshojnë ADN-në tuaj. Vini re: mRNA është shumë delikate dhe shpërbëhet pas rreth 72 orëve.

25 Q. Cila është teknologjia e prodhimit të vaksinës Johnson & Johnson?
A. Vaksina Johnson & Johnson përdor një virus të padëmshëm të rrufës (gripit), të quajtur "adenovirus i llojit 26", që të udhëzojë trupin tuaj si të identifikojë cipën e virusit (kunjat proteinike). Kjo metodë nuk ju infekton me COVID-19.

26 Q. A mund të infektohem me COVID-19 prej vaksinimit?
A. Jo. Tre lloje kryesore vaksinash po prodhohen për të luftuar COVID-19. Asnjë nga ato nuk mund t'ju infektojë me COVID-19. Vaksinat Pfizer and Moderna janë vaksina mRNA, të cilat nuk e përmbajnë virusin e COVID-19. Vaksina Johnson & Johnson përdor një virus gripi të padëmshëm, dhe po ashtu nuk e përmban virusin COVID-19. Efektet e buta anësore që përfshijnë edhe gjendje të shkurtër dobësie trupore, tregojnë se trupi juaj po bën detyrën dhe po prodhon antitrupat (Ato që ju mbrojnë nga infeksioni).

27 Q. Sa zgjat mbrojtja nga vaksina?
A. Nuk e dimë ende. Ka shumë faktorë të panjohur për vaksinat dhe efektshmërinë e tyre afatgjatë. Njohuritë tona do të jenë më të plota deri nga vjeshta e ardhshme, pas ndjekjes së personave të regjistruar në studimet klinike prej një viti.